
Nga Zenel Çeliku

Ndërkohë që Evropa e më gjerë është thellësisht e shqetësuar për agresionin rus në Ukrainë, Ballkani Perëndimor (BP) shpesh shfaqet problematik dhe, herë pas here, me tensione të rrezikshme. Në këto rrethana, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar “Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”.
Në sfondin e proceseve globale në vazhdim, BP mbetet një rajon me rëndësi strategjike për sigurinë e Evropës. Me miratimin e këtij akti nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, rajoni është përcaktuar zyrtarisht si një zonë me interes afatgjatë kombëtar dhe strategjik për SHBA-të. Brenda këtij kuadri, Republika e Shqipërisë shfaqet si faktor qendror stabilizues në BP. Pozicioni i saj gjeografik, lidhjet infrastrukturore dhe ndikimi politik i vazhdueshëm ndër vite i lejojnë Shqipërisë të luajë një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Stabiliteti i qëndrueshëm i Shqipërisë përkthehet drejtpërdrejt në stabilitetin e të gjithë rajonit, duke parandaluar konflikte të reja, përçarje dhe përshkallëzim të pasigurisë. Përmes një partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria ka punuar vazhdimisht për ta konsoliduar këtë marrëdhënie, në mënyrë që interesi i SHBA-së të ecë krah për krah me interesat e Shqipërisë dhe të rajonit.
Shqipëria ka potencialin të bëhet një qendër kyçe në këtë platformë të BP-së për frenimin e konflikteve rajonale, çmontimin e krimit të organizuar dhe rrjeteve transnacionale, si dhe monitorimin e flukseve të paligjshme financiare dhe rrugëve të trafikimit të drogës. Këto përpjekje duhet të zhvillohen përmes kanaleve institucionale, të bazuara në sundimin e ligjit, ndërtimin e institucioneve dhe një arkitekturë sigurie të mbështetur në partneritet serioz, jo në forcë.
Niveli dhe pozicioni që Shqipëria ka sot në Ballkanin Perëndimor janë, pa dyshim, kontribut i çmuar ndër vite. Në këto rrethana lind pyetja: cili është “Platforma dhe Vizioni Strategjik” përfundimtar i Ballkanit Perëndimor?
Paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti i BP-së janë rezultat i një përpjekjeje të fortë strategjike për krijimin e një klime të fqinjësisë së mirë, zhvillimit, prosperitetit dhe përfundimit të konflikteve ndërmjet vendeve të rajonit. Kjo “Platformë” përfaqëson një model bashkëpunimi rajonal të bazuar në partneritet, besim të ndërsjellë, siguri dhe zhvillim afatgjatë me SHBA-të dhe BE-në.
Në këtë kontekst, Serbia shihet si problematike; ndaj, domosdoshmërisht, duhet të largohet nga ndikimi rus, të heqë dorë nga qasja se “Kosova është Serbi”, si dhe nga debatet e ashpra që prishin ekuilibrat e stabilitetit në këtë rajon delikat. Konfliktet e njëpasnjëshme që lidhen me Serbinë janë të rrezikshme. Prandaj, që Serbia të bëhet pjesë e kësaj “Platforme”, ku spikasin fqinjësia, besimi, zhvillimi dhe prosperiteti i BP-së, duhet të ndjekë politika bashkëkohore, në unison me interesat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, me interesat e SHBA-ve në këtë rajon.
Theksoj, gjykoj dhe parashikoj me mendje të kthjellët se Shtetet e Bashkuara marrin një rol udhëheqës në këtë “Platformë” dhe shërbejnë si garantues të stabilitetit në BP. Gjithashtu, jam i bindur se Evropa mbetet një partner i sigurt dhe plotësisht i besueshëm për të kontribuar në stabilitetin, prosperitetin dhe fqinjësinë e mirë e të qëndrueshme në vendet e BP-së.
Kështu, ky rajon, por edhe Ballkani në tërësi, afirmohet si një hapësirë e paqes së qëndrueshme. Shqipëria realisht ka qenë, është dhe mbetet një gur themeli i interesave kombëtare shqiptare, rajonale dhe të sigurisë, në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe me Evropën.
Me miratimin e Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, nuk shoh që kjo nismë historike për BP-në të drejtohet kundër ndonjë aktori. Përkundrazi, kjo nismë i vë në garë gjashtë vendet e BP-së që, me përkushtim të madh, të ndryshojnë strategjitë e tyre, duke i dhënë rajonit paqe të qëndrueshme.
Objektivi kryesor i kësaj “Platforme” është krijimi i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm, brenda komunitetit global.