
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ka rënë dakord të zhvillojë bisedime me udhëheqjen e re të Iranit, ndërsa operacioni i përbashkët SHBA–Izrael kundër Teheranit vazhdon për të dytën ditë. Kujtojmë se SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme intensive kundër Iranit dy ditë më parë duke çuar në eliminimin e liderit supreme, Ali Khomenei.
Trump tha se zyrtarët iranianë “po flasin” me SHBA-në, por nuk dha detaje. Ai nuk përjashtoi ndalimin e sulmeve gjatë negociatave, duke thënë se kjo do të varet nga qëndrimi i Teheranit. Ai justifikoi operacionin me pretendimin se Irani nuk ndaloi programin bërthamor.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se tre ushtarë amerikanë janë vrarë dhe pesë janë plagosur rëndë. Operacioni ka vrarë disa zyrtarë të lartë iranianë.
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, mohoi se Teherani ka kërkuar negociata dhe deklaroi se Irani nuk do të bisedojë me SHBA-në.
Në rajon, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 31 persona janë vrarë dhe 149 janë plagosur nga sulmet izraelite në Bejrut dhe jug të vendit.