
Nga Zenel Çeliku

Ajo që në publikun e Ballkanit Perëndimor (BP) perceptohet tashmë si një klishe, është fakti se Bashkimi Evropian (BE), që nga viti 2003 e deri më tani (2026), vazhdon të përsërisë të njëjtat premtime dhe deklarata se e ardhmja e BP është në BE. Ky premtim, ose vizioni i BE-së, duket sikur shihet me dyshim nga popujt e BP. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh është se shpesh dalin kërkesa – “kleçka” nga vetot e shteteve anëtare. Është për t’u theksuar se publiku i BP është lodhur me procedura pas procedurash dhe me ndryshimin e prioriteteve politike në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera të BE-së.
Megjithatë, politika e zgjerimit të BE-së tani thuhet se është rikthyer në agjendë, si rezultat i një realiteti më të ashpër gjeopolitik pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, një tronditje që u kujtoi udhëheqësve të BE-së se integrimi në BE i BP shpesh ka përparuar përmes krizave politike. Megjithatë, pavarësisht vrullit të ripërtërirë, zgjerimi nuk duket se po ecën aq efektivisht në praktikë.
Shpesh nga figurat qendrore thuhet se Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara dhe janë më afër anëtarësimit në BE. Katër vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor — Bosnja & Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia — janë të bllokuara në forma të ndryshme pezullimi. Ky nuk është vetëm problemi i tyre, por po bëhet gjithnjë e më shumë një sfidë edhe për BE-në.
Ndoshta gabimi që Brukseli duket se bën ndonjëherë është trajtimi i politikës së zgjerimit si një zgjedhje binare midis pranimit dhe pritjes. Prandaj, në realitet, hendeku më i dëmshëm shpesh qëndron mes pranimit dhe pritjes. Kjo do të thotë mungesë e një integrimi operacional kuptimplotë të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor (BP), që do të vazhdojë të luftojë shumë dhe pa ndalim.
Vërehet se institucionet e vendeve të BP janë kryesisht të përjashtuara nga ekosistemi institucional i BE-së dhe nga funksionimi praktik në fusha me interes të ndërsjellë, siç janë lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, siguria kibernetike, sundimi i ligjit dhe dezinformimi. Në rastin më të mirë, BE kërkon bashkëpunim gjysmëformal prej vendeve të BP në baza ad-hoc, kryesisht kur e konsideron të nevojshme nga pikëpamja e interesave të saj. Për shembull, kur përballet me një kërcënim specifik sigurie, kur ka një interes të rëndësishëm ekonomik ose kur fondet e saj janë në pikëpyetje, BE-ja kërkon pikërisht bashkëpunime të tilla gjysmëformale.
Nga BE-ja është thënë e stërthënë se janë dy kandidatë potencialë — Shqipëria dhe Mali i Zi — me perspektiva të qarta për një lloj anëtarësimi në BE gjatë kësaj dekade. Më duhet të evidentoj se publiku shqiptar mbetet skeptik se BE-ja do të qëndrojë seriozisht pas këtyre vlerësimeve dhe premtimeve për anëtarësim më të shpejtë të dy vendeve në fjalë.
Por, duke analizuar më tej, lind pyetja: menjëherë pas kësaj sfide për anëtarësimin e dy vendeve tona në BE, çfarë do të bëhet me katër vendet e tjera (Bosnja & Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) në drejtim të përfshirjes së tyre për t’u bërë edhe ato pjesë e BE-së? Në rastin më të mirë, kur i tërë BP do të jetë pjesë e BE-së, ky rajon nuk do të jetë më i paqëndrueshëm, nuk do të ketë tensione dhe konflikte të ndërsjellta, sepse në fund të fundit vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë të bashkuara në familjen e madhe të Evropës.
Nga ana tjetër, pa dyshim, BP, kur të bëhet pjesë e BE-së, do të jetë një kontribues me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemet dhe mekanizmat e BE-së. Kështu, në rrethana të barabartëve mes të barabartëve, vendet e rajonit tonë, nga marrës pasivë të mbështetjes së BE-së, do të bëhen kontribues aktivë brenda mekanizmave kryesorë të Unionit.
Kjo qasje i ofron rajonit tonë gjithashtu një platformë konkrete për t’u demonstruar skeptikëve të BE-së se BP mund të bëhet një anëtar i mirë në të ardhmen, duke e dëshmuar veten si partnerë racionalë dhe të përgjegjshëm brenda sistemit të BE-së, të cilët i shtojnë vlerë sigurisë së BE-së. Për këtë arsye, nuk duhen më zvarritje dhe procedura pa fund për anëtarësimin në BE të këtij rajoni.
Në këto rrethana, sigurisht, kjo qasje (anëtarësimi i BP në BE) mbron edhe interesat e BE-së, pasi, siç thuhet vazhdimisht dhe drejtpërdrejt, zhvillimet në BP, për mirë apo për keq, mund të kenë efekt të drejtpërdrejtë në BE.