TVSH dhe akciza rriten, ndërsa konsumatorët paguajnë miliona më shumë.

Rritja e çmimit të naftës ka rritur ndjeshëm të ardhurat e buxhetit nga TVSH dhe akciza.
Në mars, importet e naftës arritën në 53.6 mijë ton, me rritje të lehtë prej 2.8% nga një vit më parë. Por të ardhurat nga TVSH u rritën shumë më shpejt, duke arritur në 1.93 miliardë lekë, ose 22% më shumë.
Vetëm nga shtrenjtimi i çmimeve, buxheti arkëtoi rreth 3.3 milionë euro më shumë nga TVSH në doganë. Në çmimin final, kjo shumë arrin rreth 4.3 milionë euro.
Ndërkohë, edhe të ardhurat nga akciza u rritën, pasi taksa u indeksua me inflacionin.
Pavarësisht një vendimi për uljen e akcizës kur çmimi kalon 220 lekë për litër, masa u zbatua vetëm për pak ditë.
Në të njëjtën kohë, konsumatorët paguan më shumë. Në mars, ata shpenzuan rreth 87 milionë euro për naftë, ose rreth 11 milionë euro më shumë se sa do të kishin paguar me çmimet e shkurtit.