
Seanca e parë e gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dështoi këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme dhe u shty për më 11 maj.
Gjykata vendosi t’u japë kohë avokatëve të nënës së Monika Kryemadhit për të siguruar një prokurë të posaçme, të nevojshme për kërkesën e gjykimit të shkurtuar.
Në sallë, avokati i Metës kërkoi që ish-presidenti të mos qëndronte në kafazin e qelqtë, por pranë mbrojtësit të tij. Kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese.
Meta foli për herë të parë publikisht pas arrestimit, duke i cilësuar akuzat “gënjeshtra” dhe procesin “të turpshëm”.
Ai akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. Në të njëjtën dosje janë edhe Monika Kryemadhi dhe tre të pandehur të tjerë.
Meta ka kërkuar që seancat të transmetohen drejtpërdrejt, duke e lidhur këtë me transparencën ndaj publikut.
Kryemadhi, e pranishme në sallë, tha pas seancës se tashmë nis “beteja ligjore” me drejtësinë dhe opinionin publik.