Bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri prodhojnë vetëm 29% të mesatares së Bashkimit Evropian, sipas një studimi të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për vitin 2023.
Një punonjës në një ndërmarrje shqiptare prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit, ndërsa në bizneset e mëdha vlera shkon në 19,645 euro. Për krahasim, në BE, një punonjës i NVM-ve prodhon 52,000 euro, dhe në kompanitë e mëdha 87,000 euro.
Produktiviteti i bizneseve të mëdha në Shqipëri është 22.6% i mesatares së BE-së, ndërsa në rajon, Serbia arrin 31,400 euro, Bosnje-Hercegovina 27,000 euro dhe Maqedonia e Veriut 21,600 euro për punonjës.
Ritmet e rritjes së produktivitetit në Shqipëri janë të pamjaftueshme për të ngushtuar hendekun me BE-në. Ekspertët parashikojnë se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë nivelin aktual të të ardhurave për frymë të BE-së brenda katër dekadave.
Shqetësime shtesë vijnë nga rënia e popullsisë në moshë pune me 18% që nga 2011, kryesisht për shkak të emigrimit të profileve të kualifikuara në teknologji dhe shkenca. Papunësia e të rinjve mbetet e lartë, ndërsa tregu i punës ka një mospërputhje të theksuar mes aftësive dhe kërkesave të bizneseve.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përballen gjithashtu me qasje të kufizuar në financim, me kërkesa të larta për kolateral dhe instrumente alternative financiare të pakta.
Këto sfida janë më urgjente ndërsa bizneset duhet të investojnë në tranzicionin digjital dhe atë të gjelbër për t’u integruar në tregun evropian, një proces që kërkon kapital dhe punëtorë të specializuar.