
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ambicia është e domosdoshme për të arritur qëllime të mëdha në politikë dhe në fusha të tjera.
Në një intervistë për emisionin “Adresa” në Kanal 10, Thaçi tha se gjatë gjithë jetës ka qenë ambicioz dhe se ka punuar për qëllimet që i cilëson kryesore: lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Gjithë jetën kam qenë dhe jam ambicioz, i madh bile. Por, edhe kam punuar shumë për realizimin e qëllimeve: të lirisë dhe pavarësisë. Ka mbetur edhe integrimi në NATO dhe BE”, tha ai.
Sipas Thaçit, ambicia është e nevojshme jo vetëm në politikë, por edhe në shkencë, media, sport, biznes dhe fusha të tjera.
Ai tha se ambicia nuk duhet ngatërruar me karrierizmin, duke i përshkruar si dy koncepte të ndryshme në mendim, sjellje dhe veprim.
Thaçi foli edhe për tërheqjet e tij nga poste të larta politike. Ai përmendi vitet 2001 dhe 2014, kur, sipas tij, u tërhoq nga posti i kryeministrit pavarësisht fitoreve zgjedhore, si dhe dorëheqjen nga posti i presidentit në vitin 2020 para dërgimit në Hagë.
“Në politikë, jo rrallë një hap prapa të hap shtigje të reja, por mund edhe të të fundos. Varet si e menaxhon tërheqjen dhe për çfarë motivi ndërton rikthimin”, tha Thaçi.
Sipas tij, suksesi politik kërkon durim, kontroll të egos dhe vendosjen e interesit personal në funksion të kauzës.