
Në Shkup, studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera pritet të protestojnë sot për mosmbajtjen e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta është paralajmëruar për në orën 16:30, para Urës së Gurit, nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”.
Organizatorët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës, i nevojshëm për ushtrimin e profesioneve juridike, të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Në njoftimin e tyre, studentët thanë se kërkesa lidhet me përdorimin e gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.
“Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, thuhet në thirrjen e tyre për pjesëmarrje.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka shprehur mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Në një postim në rrjetet sociale, ai publikoi vargje nga poema “Gjuha Shqype” e At Gjergj Fishtës.
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut ka qenë shpesh pjesë e debatit publik dhe institucional në vend. Studentët thonë se mosmbajtja e provimit në shqip i vendos ata në pozitë të pabarabartë në qasjen ndaj profesioneve juridike.