02.11.2026
Rajoni

Titull:Arrestime në Graçanicë pas akuzave për presion ndaj votuesve serbë

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar shtatë serbë në Graçanicë, nën dyshimin se kanë ushtruar presion ndaj votuesve para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se të arrestuarit dyshohen për kërcënime, presion dhe shantazh ndaj votuesve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar më herët ndalimin e pesë personave për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve”.

Rasti u hap pas akuzave të Nenad Rashiçit ndaj Listës Serbe. Ai tha se mbështetës të partisë së tij janë kërcënuar dhe larguar nga puna për arsye politike.

Radio Evropa e Lirë publikoi dëshmi të disa personave që thanë se ishin larguar nga puna sepse mbështesnin partinë e Rashiçit, jo Listën Serbe.

Lista Serbe i mohoi akuzat. Zyrtari i saj, Igor Simiç, tha se arrestimet janë përpjekje për të goditur institucionet serbe në Kosovë dhe për të ndihmuar politikisht Rashiçin.

Beogradi reagoi përmes ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, i cili tha se personat që kanë kontribuar në arrestime do të ndiqen sipas ligjeve të Serbisë.

Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Mandati tjetër u fitua nga partia e Rashiçit.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.