
Ushtria amerikane tha se ka kryer sulme të reja ndaj objektivave ushtarake iraniane, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me raketa dhe dronë ndaj Kuvajtit.
Komanda Qendrore amerikane, CENTCOM, tha se sulmet kishin në shënjestër radarë iranianë dhe qendra komandimi për dronë në Goruk dhe në ishullin Keshm.
Sipas CENTCOM-it, operacioni u krye pasi forcat iraniane rrëzuan një dron amerikan MQ-1 që po fluturonte mbi ujëra ndërkombëtare.
Ushtria amerikane tha se avionët e saj shkatërruan sisteme të mbrojtjes ajrore iraniane, një stacion kontrolli në tokë dhe dy dronë që përbënin kërcënim për anijet në ujërat rajonale.
Asnjë pjesëtar i forcave amerikane nuk u plagos gjatë operacionit.
Mediat shtetërore iraniane cituan Gardën Revolucionare të ketë thënë se Irani kishte goditur një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane për sulmet e fundit.
Në të njëjtën kohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se mbrojtja ajrore po përballej me sulme me raketa dhe dronë. Autoritetet u kërkuan qytetarëve të ndiqnin udhëzimet e sigurisë.
Kuvajti nuk konfirmoi menjëherë nëse sulmet erdhën nga Irani, por Teherani e ka akuzuar më parë këtë vend se është përdorur për operacione amerikane.
Sulmet ndodhin ndërsa zyrtarë amerikanë dhe iranianë po diskutojnë propozime për zgjatjen e armëpushimit, hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Ky është të paktën sulmi i tretë amerikan ndaj objektivave iraniane që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në prill.