19.09.2026
Politike

Shtyhet për 21 korrik seanca për çështjen “Partizani”, Berisha mungon në GJKKO

Seanca e parë gjyqësore për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme është shtyrë për në 21 korrik, pas mungesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk ishte njoftuar zyrtarisht për zhvillimin e seancës.

Sipas prokurorit Arben Kraja, njoftimi i është bërë dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit, i cili argumentoi se nuk kishte kohë të mjaftueshme për ta njoftuar personalisht Berishën. Malltezi, së bashku me Xhim Begejën, ishte i pranishëm në gjykatë, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë u përfaqësuan nga avokatët për shkak të mungesave të justifikuara.

Në deklaratë për mediat, Malltezi hodhi poshtë akuzat për përfitim të 5.4 milionë eurove dhe kërkoi thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar, duke deklaruar se Rama ka firmosur në procedurat e privatizimit të klubit “Partizani”.

Ndërkohë, gjyqtarja Elsa Ulliri është dorëhequr nga shqyrtimi i çështjes, për shkak të lidhjes familjare me deputeten demokrate Andia Ulliri. Si pasojë, seanca për kërkesën e Malltezit për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” është shtyrë për më 7 korrik.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.