03.11.2026
Ekonomi

Modeli i rritjes ekonomike: më shumë ndërtim, më pak arsim

Shifrat e buxhetit afatmesëm 2025–2029 tregojnë se qeveria vazhdon të mbështetet te investimet kapitale, kryesisht infrastrukturë dhe ndërtim, ndërsa arsimi dhe shëndetësia mbeten nënfinancuar.

Shpenzimet kapitale parashikohen në 6–6.5% të PBB-së, mbi dyfishin e mesatares së BE-së, duke e orientuar rritjen ekonomike drejt ndërtimit. Në të kundërt, shpenzimet për shëndetësinë bien nga 2.4% e PBB-së në 2.1% deri në 2029, ndërsa arsimi zbret nga 2.9% në rreth 2.1% të PBB-së.

Kjo strukturë tregon një model rritjeje që favorizon investimet fizike, jo kapitalin njerëzor. Në afat të gjatë, rreziku është një ekonomi me shumë projekte ndërtimi, por mungesë mjekësh, mësuesish dhe profesionistësh.

Edhe me nivele të larta investimesh, infrastruktura mbetet e pamjaftueshme në zonat ku përqendrohet popullsia dhe aktiviteti ekonomik, veçanërisht në Tiranë. Fondet shpërndahen në projekte të copëzuara, pa ndikim transformues dhe me rrezik të lartë abuzimi.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.