
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi pritet të prodhojë këtë vit municionet e para me vulën “Made in Kosova”.
Kurti njoftoi se, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka inspektuar punimet në fabrikën e industrisë ushtarake që po ndërtohet në Jahoc të Gjakovës.
Sipas tij, në fazën e parë fabrika do të prodhojë fishekë të kalibrave 5.56 milimetra dhe 7.62 milimetra.
Projekti synon më pas edhe prodhimin e dronëve ushtarakë.
Kurti tha se për këtë industri janë ndarë 19 hektarë tokë në Gjakovë, ndërsa për ushtrinë e Kosovës në katër vitet e ardhshme pritet të ndahen mbi 1 miliard euro për pajisje, trajnime dhe rritje të kapaciteteve ushtarake.