02.11.2026
Kryesore

PS propozon heqjen e konkurseve për drejtuesit e Policisë

Partia Socialiste ka propozuar ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, që heqin konkursin për disa poste drejtuese, nga departamentet deri te shefat e komisariateve.

Sipas relacionit, procesi aktual i konkurrimit është bërë i gjatë, burokratik dhe joefektiv për përzgjedhjen e drejtuesve të lartë në polici.

Ndryshimet prekin pozicione si zëvendësdrejtori i përgjithshëm, drejtori i departamentit, drejtuesi vendor dhe shefi i komisariatit.

PS argumenton se konkursi ka ngadalësuar punën administrative dhe operative të policisë, duke ulur reagimin dhe produktivitetin e strukturave drejtuese.

Projektligji parashikon gjithashtu që ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të mund të rikthehet në strukturat policore pas përfundimit të mandatit, duke mbajtur gradën “Drejtues i parë”.

Sipas propozimit, kjo do të lejonte përdorimin e përvojës së tij në role këshillimore, në Akademinë e Sigurisë ose si oficer kontakti.

Ndryshimet parashikojnë edhe uljen e afatit për ngritjen në gradë. Sipas relacionit, afati aktual prej 5 vitesh për secilën gradë është formal dhe i gjatë për punonjësit që japin rezultate.

PS thotë se sistemi duhet të mbështetet më shumë te performanca dhe më pak te koha e qëndrimit në gradë.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.