
Shqipëria po shihet nga mediat franceze si një nga alternativat më të lira për pushimet verore në Mesdhe, në një kohë kur çmimet në Spanjë dhe Portugali janë rritur.
Në një artikull të botuar në “Grazia.fr”, Luce Picat shkruan se Shqipëria po tërheq më shumë turistë evropianë për shkak të kostove më të ulëta dhe bregdetit në Adriatik e Jon.
Sipas artikullit, vendi është bërë më i arritshëm falë shtimit të fluturimeve direkte drejt Tiranës dhe lidhjeve detare nga Korfuzi.
Media franceze veçon Rivierën Shqiptare, Ksamilin, Beratin dhe Syrin e Kaltër si disa nga atraksionet kryesore.
Artikulli përmend edhe çmimet më të ulëta krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare, përfshirë kafenë, birrën vendase, akomodimin dhe ushqimin.
Sipas “Grazia.fr”, qershori dhe shtatori janë periudhat më të mira për të vizituar Shqipërinë, larg fluksit të lartë të sezonit.