
Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë amerikanë si një destinacion europian më i lirë, më pak i mbushur me vizitorë dhe ende i pazbuluar nga turizmi masiv.
Media amerikane “US Today” e veçon Shqipërinë, së bashku me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, si pjesë të një Ballkani që po fiton vëmendje në tregun ndërkombëtar të udhëtimeve.
Sipas ekspertëve të turizmit, rajoni po shihet si alternativë ndaj destinacioneve europiane që janë bërë më të shtrenjta dhe më të mbingarkuara.
Lee Thompson, bashkëthemelues i kompanisë së udhëtimeve “Flash Pack”, tha se Ballkani u jep vizitorëve ndjesinë që ofronte Europa Jugore dy dekada më parë: çmime më të ulëta, vende autentike dhe më pak turma.
Shqipëria ishte destinacioni më i kërkuar nga turistët amerikanë të “Flash Pack” në vitin 2025, me rezervime 300% më të larta se një vit më parë.
Thompson e përshkroi Shqipërinë si një destinacion që të kujton Greqinë para se të bëhej masive për turistët.
Sipas tij, vendi nuk është vetëm ekonomik, por edhe ndër më të bukurit dhe më pak të zbuluarit në Europë.
Artikulli veçon Alpet Shqiptare, bregdetin, kështjellat, qytetet historike dhe vendet e mbrojtura nga UNESCO si pjesë të atraksioneve kryesore.
Ekspertët këshillojnë që Tirana të përdoret si pikënisje për udhëtime në pjesë të ndryshme të vendit.
Ata vlerësojnë se madhësia e vogël e Shqipërisë e bën më të lehtë lëvizjen mes maleve, qyteteve dhe plazheve.
Krijuesja e përmbajtjeve të udhëtimit Sara Campana tha se udhëtimi në Shqipëri dhe në Ballkan është më i lehtë nga sa pritet, me mundësi të mira transporti dhe kosto të favorshme.
Sipas “Flash Pack”, interesi për Shqipërinë është rritur sepse shumë turistë kërkojnë destinacione që duken ende autentike dhe jo të mbipopulluara.