Bashkimi Europian do të zhvillojë këtë të enjte në Bruksel Konferencën e Pestë Ndërqeveritare me Shqipërinë, duke hapur negociatat për tetë kapituj të rinj të grupit të tretë.

Bashkimi Europian do të mbajë të enjten Konferencën e Pestë Ndërqeveritare me Shqipërinë, ku do të hapen bisedimet për tetë kapituj të rinj nga grupkapitulli “Konkurrueshmëri dhe rritje gjithëpërfshirëse”.
Kapitujt përfshijnë politikat ekonomike, punësimin, tatimet, arsimin dhe kulturën, bashkimin doganor, median dhe transformimin dixhital. Këto fusha janë kyçe për qëndrueshmërinë fiskale, modernizimin industrial dhe përfshirjen e Shqipërisë në politikat e BE-së për inovacionin, arsimin dhe dixhitalizimin.
Që nga tetori i vitit të kaluar, Shqipëria ka hapur bisedime për 27 fusha në total, përfshirë kapitujt themelorë, marrëdhëniet me jashtë dhe tregun e brendshëm. Synimi i qeverisë shqiptare është që të hapen të gjithë grupkapitujt brenda vitit 2025 dhe të përfundojnë negociatat deri në fund të vitit 2027, me anëtarësimin e plotë të planifikuar për vitin 2030.