Sipas Institutit GAP, fuqia blerëse e euros në Kosovë ka rënë me 25% në një dekadë. 100 euro të vitit 2015 vlejnë sot vetëm 75.5 euro.

Instituti GAP ka publikuar të dhëna që tregojnë zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros në Kosovë gjatë dekadës së fundit. Sipas statistikave të publikuara, 100 euro të vitit 2015 kanë sot një vlerë reale prej vetëm 75.5 eurosh.
Grafiku i zhvlerësimit tregon një rënie të qëndrueshme të fuqisë blerëse që nga viti 2015, me disa piketa të rëndësishme: në vitin 2020 euro kishte vlerën reale prej 94.5 eurosh, në vitin 2022 ra në 82 euro dhe në vitin 2024 në 76.9 euro. Për tremujorin e parë të vitit 2025, vlera bie në 75.5 euro.
Rënia e fuqisë blerëse lidhet me rritjen e vazhdueshme të çmimeve. Agjencia e Statistikave të Kosovës raportoi një rritje mesatare vjetore prej 1.6% të çmimeve për vitin 2024 krahasuar me 2023-in, me ndikim më të lartë në sektorë si biletat e fluturimit, kafeja, pijet, mallrat shtëpiake dhe energjia.
Në të njëjtën kohë, edhe pesha e kredive në ekonominë familjare është rritur. Kreditë kanë arritur në 5.67 miliardë euro në fund të vitit 2024, me një rritje prej 15.7% në krahasim me vitin paraardhës. Edhe depozitat bankare kanë ndjekur një trajektore në rritje, me një rritje mbi 60% që nga viti 2020.