Ndërsa Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, bizneset e vogla dhe të mesme kërkojnë ndihmë logjistike, financiare dhe njerëzore për të qenë konkurruese.

Dëshira për t’u integruar në tregun evropian është e madhe, por bizneset shqiptare nuk ndihen ende gati për të përballuar konkurrencën. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, thekson se nevojiten ndërhyrje në logjistikë, dije dhe financim për sektorin privat.
“Mbështetja duhet të jetë e dyfishtë: në logjistikë dhe dije, dhe patjetër në financim. Kapitali njerëzor është thelbësor,” u shpreh Jaka.
Kjo vjen në një moment kritik, pasi Shqipëria përgatitet për hapjen e kapitullit 20 të negociatave me BE-në, që trajton ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, konkurrueshmërinë dhe investimet. Gravil Lasku nga Programi Italian për SME e konsideron këtë kapitull si një nga më të rëndësishmit.
Për të ndihmuar këtë sektor, qeveria italiane ka vënë në dispozicion një fond prej 30 milionë eurosh, ku çdo sipërmarrje mund të aplikojë deri në 500 mijë euro me norma të ulëta interesi. Zëvendësministrja e Ekonomisë, Blerta Rama, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke nënvizuar standardet e larta italiane.
Programi i përbashkët shqiptaro-italian synon të krijojë kushte më të favorshme për SME-të përmes lehtësimit të qasjes në kredi, përmirësimit të teknologjisë dhe standardeve të prodhimit, si dhe rritjes së aftësisë konkurruese në tregun rajonal dhe evropian.