Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për të njëzetën herë që prej 15 prillit, në një tjetër përpjekje për konstituimin e legjislaturës së re, por pa sinjale për zgjidhje.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot nga ora 11:00 për një tjetër tentativë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, e cila ka mbetur e bllokuar që prej mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit. Seanca e sotme është përpjekja e njëzet që nga 15 prilli, por nuk priten zhvillime të reja.
Ngërçi politik vijon për shkak të pamundësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, partia e parë në zgjedhje, për të siguruar 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në postin e kryetares së Kuvendit. As partnerët e saj në koalicion, Guxo dhe Alternativa, nuk kanë arritur të sjellin një zhbllokim.
Partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – kanë kërkuar ndryshim kandidati, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të kundërshtojë çdo propozim nga Vetëvendosje.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar në mënyrë të përsëritur që votimi të kryhet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka gjetur mbështetje. Nga ana tjetër, Vetëvendosje ka kërkuar që seancat të mos mbahen më çdo 48 orë, por vetëm një herë në javë.
Përpjekje për ndërmjetësim u bënë edhe nga presidentja Vjosa Osmani në takime me partitë politike, por pa rezultat. Thirrje për zhbllokim ka bërë edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, duke e cilësuar formimin e institucioneve si jetik për të ardhmen evropiane të Kosovës.