19.09.2026
Ekonomi

Mali i Zi drejt zbatimit të ditës shtatëorëshe të punës

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, njoftoi se vendi është afër një marrëveshjeje për uljen e ditës së punës në shtatë orë, nëpërmjet dialogut me sindikatat dhe punëdhënësit.

Mali i Zi është pranë zbatimit të një reforme të rëndësishme në legjislacionin e punës, e cila parashikon uljen e kohës së punës në shtatë orë në ditë. Kryeministri Milojko Spajiq tha se pas shqyrtimeve të gjera është arritur afër një zgjidhjeje që kënaq të gjitha palët e përfshira.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Spajiq njoftoi se duke filluar nga java e ardhshme, ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Naida Nishiq, do të udhëheqë bisedimet për finalizimin e reformës me përfaqësuesit e sindikatave dhe punëdhënësve.

“Qëllimi është një reformë e madhe që përmirëson cilësinë e jetës dhe garanton më shumë kohë për familjet dhe produktivitet më të lartë në punë,” u shpreh Spajiq.

Dialogu përfshin konsultime të gjera sociale dhe synon që ndryshimi të jetë i zbatueshëm pa dëmtuar interesat e asnjërës palë.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.