19.09.2026
Kryesore

PD kërkon rinumërimin e votave në qarkun Tiranë

Alimehmeti, Hajdarmataj dhe Hoxha pretendojnë parregullsi që mund të kenë ndikuar rezultatin. Vendimi në dorën e KAS-it

Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për rinumërimin ose rivlerësimin e votave në të gjithë qarkun e Tiranës.

Tre kandidatët e kësaj force politike që nuk arritën të siguronin mandate në Kuvend – Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha – pretendojnë se procesi i numërimit është shoqëruar me parregullsi serioze që kanë ndikuar në renditjen përfundimtare.

Alimehmeti deklaron se ka identifikuar disa raste ku votat e tij janë numëruar gabim ose i janë atribuar kandidatëve të tjerë. Ai përmend një qendër votimi ku 27 vota preferenciale rezultojnë të zhdukura.

“Vetëm nga këqyrjet e deritanishme janë konstatuar gabime në rreth 5% të votave. Meqë diferenca me kandidatin para meje është vetëm 1.2%, rezultati mund të ndryshojë ndjeshëm,” thekson Alimehmeti.

Ndërkohë, Hajdarmataj përmend mbi 1.000 vota problematike në të paktën 6 KZAZ, ndërsa Hoxha deklaron se ka gjetur vota të tij të regjistruara në emër të një kandidati tjetër.

PD kërkon verifikim të plotë në të gjitha qendrat e votimit në qark, duke e konsideruar procesin si të cenuar. Vendimi për hapjen ose jo të kutive i takon tashmë KAS-it.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.