Pas akuzave nga Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës ruse se Serbia po dërgon armë në Ukrainë përmes vendeve të treta, presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi pezullim kontratash dhe njoftoi një grup pune të përbashkët me Rusinë për hetimin e çështjes.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka reaguar ndaj deklaratës së shërbimeve sekrete ruse SVR, që akuzon Serbinë për eksport të armëve drejt Ukrainës, në kundërshtim me neutralitetin zyrtar të Beogradit. Vuçiq konfirmoi se ka biseduar me presidentin rus Putin dhe do të krijojë një grup pune të përbashkët për të verifikuar akuzat. Ai shtoi se do të pezullohen kontratat e eksportit të armëve kur ka dyshime për keqpërdorim të destinacionit përfundimtar.
Sipas burimeve perëndimore, përfshirë “Financial Times”, Serbia ka shitur municion në vlerë prej 800 milionë eurosh, që ka përfunduar në Ukrainë përmes ndërmjetësve. Vuçiq e ka cilësuar këtë si “mundësi biznesi”, ndërsa opozita dhe ekspertët e sigurisë e shohin reagimin e tij si përpjekje për të zbutur tensionet me Moskën.