19.09.2026
Ekonomi

Mallrat më lirë nga jashtë, por jo për konsumatorin

Pavarësisht rënies së ndjeshme të çmimeve në import për produkte bazë si drithërat, zarzavatet apo mishi, konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të përballen me çmime të larta në tregun vendas.

Zhvlerësimi i euros dhe rënia e çmimeve të importit nuk po reflektohen në portofolin e qytetarëve shqiptarë. Të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë për një kontrast të fortë mes çmimeve me të cilat produktet hyjnë në vend dhe atyre me të cilat shiten për konsumatorët.

Vetëm për katër muajt e parë të vitit 2024, çmimi mesatar i një kilogrami drith në import ra nga 46.4 lekë në 37.6 lekë – një ulje prej afro 19%. Megjithatë, çmimi i bukës dhe i produkteve të përpunuara prej tij nuk ka ndjekur këtë trend, duke qëndruar në nivele të larta.

Një tablo e ngjashme paraqitet edhe në sektorin e zarzavateve dhe frutave. Çmimi i importit për një kilogram ka rënë me rreth 12%, nga 72.5 lekë në 64 lekë. Por konsumatorët vijojnë të përballen me çmime të larta në tregjet e fruta-perimeve në të gjithë vendin.

Edhe kategoria e mishit dhe produkteve të tij, përfshirë bulmetin dhe vezët, ndjek të njëjtën logjikë ekonomike: çmimet e importit janë në rënie, ndërsa ato për konsumatorin në rritje ose të pandryshuara.

Kjo ndarje mes tregtisë me shumicë dhe asaj me pakicë ngre pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e mekanizmave të tregut dhe rolin e institucioneve mbikëqyrëse për të garantuar një reflektim real të kostove në çmimet finale për qytetarët.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.