Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se shkeljet e disiplinës financiare nga institucionet publike gjatë katër muajve të parë të vitit 2025 kanë sjellë një dëm mbi 10 milionë dollarë në buxhetin e shtetit, kryesisht përmes keqmenaxhimit të fondeve dhe të ardhurave.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin për dëmin që po i shkaktohet buxhetit të shtetit për shkak të shkeljeve të disiplinës financiare në institucionet publike. Sipas raportit të fundit për periudhën janar-prill 2025, dëmi total i konstatuar kap vlerën e 1.04 miliardë lekëve – mbi 10 milionë dollarë amerikanë.
Në thelb të problematikës qëndron menaxhimi joefektiv i fondeve publike, i cili përbën 70% të efekteve negative, ndërsa 30% janë identifikuar në të ardhurat e munguara. Raporti evidenton se dëmi ekonomik konkret përllogaritet në 4.9 milionë lekë, ndërsa fondet e menaxhuara pa eficiencë kapin shifrën e 994 milionë lekëve.
Në listën e institucioneve me ndikim më të madh negativ përmenden Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Korporata e Investimeve Shqiptare, që kanë shfaqur shkelje të rënda të disiplinës buxhetore.
Një tjetër shqetësim i theksuar në raport ka të bëjë me aktivitetin kontrollues tatimor dhe doganor. Vetëm në Degën Doganore të Rinasit, janë konstatuar mangësi që përkthehen në 46.7 milionë lekë dëme, për shkak të mosarkëtimit të detyrimeve, përjashtimeve të padrejta nga TVSH, apo deklarimeve të pasakta të mallrave.
Gjatë katër muajve të parë të vitit, KLSH ka audituar 55 institucione publike dhe ka lëshuar 14 rekomandime për adresimin e gjetjeve me efekte financiare negative. Ndërkaq, janë marrë edhe pesë masa disiplinore për funksionarë përgjegjës.