Partia Demokratike ka hedhur hije dyshimi mbi integritetin e zgjedhjeve të 11 majit, duke akuzuar KQZ-në për mosmenaxhim të fletëve të votimit dhe duke kërkuar një hetim të plotë administrativ. Sipas opozitës, më shumë se 130 mijë fletë mungojnë në raportimet zyrtare – një shifër që, sipas saj, nuk mund të kalojë pa u hetuar.

Në një kërkesë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD pretendon se ka mospërputhje flagrante në administrimin e fletëve të votimit dhe kërkon verifikimin fizik të përmbajtjes së kutive në të gjithë vendin. Ajo ngre alarmin për 130 mijë fletë të “zhdukura” që, sipas saj, i përkasin zgjedhësve brenda vendit.
KQZ është përgjigjur me një sërë shifrash dhe sqarimesh teknike, duke theksuar se diferencat burojnë nga raportime të pasakta në procesverbalet e disa QV-ve dhe nga specifikat e votimit elektronik. Sipas institucionit, në total janë mbi 1.93 milionë fletë të papërdorura, të cilave u shtohen edhe sasi të tjera që nuk janë raportuar saktë për shkak të gabimeve teknike apo logjistike.
Por PD ngul këmbë se mosqartësitë nuk janë çështje teknike, por sinjal alarmi për parregullsi të rënda. Ajo kërkon një hetim të thelluar, duke e kthyer çështjen në një përplasje të re institucionale pas zgjedhjeve.