Policia e Fierit ka shkatërruar një rrjet kriminal që merrej me trafik armësh dhe kultivim kanabisi, duke arrestuar katër persona me precedentë penal. Grupi operonte në disa qytete dhe siguronte armë nga Kosova përmes rrugëve ilegale.

Një rrjet kriminal që operonte me trafik armësh dhe kultivim të kanabisit është goditur nga Policia e Fierit, në kuadër të një hetimi disa mujor me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë. Katër persona u arrestuan si pjesë e këtij grupi, me të kaluar kriminale në fushat e drogës, armëve dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Sipas Policisë, grupi vepronte në disa qytete të vendit dhe siguronte armë nga Kosova, të cilat futeshin ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër. Hetimet identifikuan Boran Buzin dhe Qamil Shurdhin si drejtuesit e rrjetit, ndërsa të arrestuarit e tjerë kishin role mbështetëse në sigurimin e armëve dhe gjetjen e blerësve.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe automjete u sekuestruan 5000 fara dhe 4000 fidanë kanabisi, armë automatike e gjahu, municione, uniforma policie, maska, automjete dhe celularë. Policia po vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.