Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë vizitës zyrtare në Athinë, theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë si themel për stabilitetin rajonal dhe avancimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi ku u prit nga presidenti grek Constantinos Tassoulas dhe homologu i tij, George Gerapetritis. Takimet, sipas Ministrisë së Jashtme, shënuan një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Hasani nënvizoi se partneriteti Shqipëri-Greqi është i ndërtuar mbi besimin, interesat strategjike dhe angazhimin e përbashkët si aleatë në NATO, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si jetik për stabilitetin në rajon.
Fokusi i bisedimeve ishte integrimi evropian i Shqipërisë, që mbetet një prioritet kombëtar. Hasani shprehu mirënjohje për mbështetjen që Greqia ka dhënë në këtë drejtim dhe theksoi nevojën për ta thelluar këtë bashkëpunim në mënyrë pragmatike.
Në qendër të diskutimeve ishin edhe çështjet e mbetura dypalëshe, për të cilat ministri shqiptar tha se kërkojnë trajtim serioz dhe qasje konstruktive në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Gjatë takimit me presidentin grek, u vu në dukje dinamika pozitive e dialogut mes dy qeverive si dhe nevoja për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, si faktor kyç për afrimin mes dy popujve.