Kuvendi mblidhet sot për të diskutuar dhe miratuar një sërë projektligjesh që synojnë forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe thellimin e bashkëpunimit financiar, ekonomik dhe teknik me partnerët ndërkombëtarë.

Në fokus të seancës plenare të sotme janë disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen ngushtë me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për programe financiare që do të sjellin investime të drejtpërdrejta në fusha si punësimi i të rinjve, digjitalizimi dhe energjia, me mbështetje të Komisionit Evropian përmes fondit IPA III.
Këto marrëveshje, që mbulojnë periudhën 2024–2027, përfshijnë rreth 44 milionë euro investime, nga të cilat 30 milionë janë grante të BE-së dhe pjesa tjetër bashkëfinancim nga shteti shqiptar. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm për integrimin evropian, duke theksuar se Shqipëria ka mundësi të përfitojë deri në 922 milionë euro mbështetje, përfshirë dhe ndihmë direkte në buxhet, nëse përmbush reformat e kërkuara.
Në agjendë janë edhe marrëveshje që lidhen me bashkëpunimin me Ukrainën, pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin evropian të doganave, si dhe akte të ndryshme që prekin çështje buxhetore dhe dokumentet identifikues të qytetarëve.
Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë dhe aderimin e Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve, si dhe një marrëveshje huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi-t, që synon mbështetje për zhvillimin ekonomik.
Në këtë sesion parlamentar, fokusi është qartë tek rritja e angazhimit ndërkombëtar të vendit dhe përgatitja për një kapitull të ri në procesin e integrimit në BE.