29.10.2026
Rajoni

Pacienti me kancer në mëlçi mbetet prej dy muajsh pa Sorafenibin

54-vjeçari nga Ferizaj thotë se ndërprerja e terapisë ka përkeqësuar gjendjen e tij; SHSKUK nuk ka sqaruar arsyen e mungesës së barit.

PRISHTINË, 29 tetor – Një pacient 54-vjeçar nga Ferizaj ka mbetur prej dy muajsh pa ilaçin kundër kancerit të mëlçisë, megjithëse ai është pjesë e listës së barnave esenciale në Kosovë.

Pacienti i tha KOHËS se në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë i kanë kërkuar të kontrollojë vazhdimisht nëse ilaçi ka mbërritur.

Bëhet fjalë për Sorafenibin, barin që mjekët i kanë përshkruar për trajtim.

Sipas pacientit, gjendja e tij është përkeqësuar gjatë ndërprerjes së terapisë. Ai tha se sëmundja i është përhapur edhe në mushkëri dhe në eshtra.

Për shkak të mungesës së ilaçit, 54-vjeçari po shqyrton mundësinë të largohet në Francë për të kërkuar trajtim mjekësor.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk dha përgjigje për arsyen e mungesës së barit dhe kohën kur pritet të sigurohet.

Mungesa e barnave për pacientët me kancer është denoncuar edhe më parë në Kosovë.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.