TIRANË, 29 tetor – Qeveria ka hequr dorë nga plani për rritjen e tatimit mbi fitimin e kompanive të mëdha nga 15% në 17%.
Kryeministri Edi Rama njoftoi të mërkurën se norma do të mbetet 15%, ndryshe nga sa parashikonte drafti fillestar i paketës fiskale për vitin 2027.
Por tatimi mbi dividendin, pjesën e fitimit që kompanitë u shpërndajnë aksionarëve, propozohet të rritet nga 8% në 15%.
Ndryshime parashikohen edhe për pagat. Pragu i sipërm i fashës së tatimit 13% do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë bruto në muaj. Për pjesën e pagës mbi 700 mijë lekë propozohet një normë prej 30%.
Qeveria ruan edhe propozimin për uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Ndryshimet duhet të miratohen nga Kuvendi përpara se të zbatohen.