Shqipëria ka konfirmuar rastin e parë të murtajës së ruminantëve të vegjël (PPR), një sëmundje ngjitëse që prek dhitë dhe delet, në një fermë në Postribë të Shkodrës. Autoritetet veterinare kanë ndërmarrë menjëherë masa për izolimin dhe kontrollin e shpërthimit.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka konfirmuar rastin e parë të murtajës së ruminantëve të vegjël (PPR) në vendin tonë. Sëmundja, e cila prek kryesisht delet dhe dhitë, është zbuluar në një fermë në njësinë administrative Postribë, në qarkun Shkodër.
Mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar u analizuan në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili konfirmoi praninë e virusit. Menjëherë pas konfirmimit, janë zbatuar të gjitha masat e parashikuara në Planin Kombëtar të Kontigjencës për këtë sëmundje, për të kufizuar përhapjen dhe për të mbrojtur tufat e tjera.
AKVMB u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbarështojnë dele dhe dhi të jenë të kujdesshëm dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve. Në rast të simptomave si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda, probleme me sytë, humbje oreksi apo ngordhje të papritura, duhet të kontaktojnë menjëherë Shërbimin Veterinar Rajonal ose të telefonojnë falas në numrin 0800 3366.
Zyrtarët theksojnë se kjo sëmundje nuk përbën rrezik për njerëzit dhe nuk transmetohet tek njeriu. Megjithatë, AKVMB do të vazhdojë ndjekjen e situatës në terren dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm.