19.09.2026
Ekonomi

Tirana thith gjysmën e kredive konsumatore në vend

Në tre muajt e parë të vitit, qytetarët kanë marrë 92 miliardë lekë kredi për konsum, ku mbi gjysma e kësaj shume është përqendruar në Tiranë.

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, shqiptarët kanë marrë më shumë kredi nga bankat për të mbuluar shpenzimet e përditshme. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredive për konsum arriti në 92 miliardë lekë, me një rritje prej 5% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Këto kredi përdoren për blerje të ndryshme si pajisje shtëpie, mobilje, makina, pushime apo nevoja të tjera familjare. Pjesa më e madhe e këtyre huave është marrë në Tiranë, ku janë shpërndarë mbi 51 miliardë lekë kredi – më shumë se gjysma e totalit kombëtar.

Pas Tiranës, qarku që ka marrë më shumë kredi është Durrësi, me një rritje të lehtë prej 4.5%. Në fund të listës janë Lezha dhe Korça, ku shumat e kredive të dhëna janë më të ulëta – respektivisht 1.7 miliardë dhe 2.6 miliardë lekë.

Kjo rritje tregon se qytetarët po përdorin gjithnjë e më shumë huat për të mbuluar kostot e jetesës apo për të bërë blerje të nevojshme në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.