

Nga Zenel Çeliku
Spektri politik në Kosovë ndodhet në një periudhë të ndërlikuar dhe tensionuar. Aktualisht, vendi drejtohet ende nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Edhe pse LVV doli forca e parë politike, ajo nuk arriti të sigurojë 61 mandate për të krijuar institucionet e reja të Kosovës. Për pasojë, procesi i zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit ka hyrë në një maratonë seancash pa rezultat, dhe ende nuk është arritur konsensusi që do t’i hapte rrugë krijimit të qeverisë së re.
Ka dyshime të forta se LVV po zvarrit qëllimisht procesin politik, duke e çuar situatën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një lëvizje e tillë, në këtë moment delikat për Kosovën, shihet si e dëmshme për stabilitetin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Albin Kurti, megjithëse ende gëzon mbështetje të konsiderueshme në opinionin publik për qëndrimet e tij mbi sovranitetin dhe luftën kundër korrupsionit, përballet me kritika të forta nga opozita (PDK, LDK, AAK), e cila e akuzon për keqmenaxhimin e dialogut me Serbinë dhe për izolim diplomatik të vendit. Një tjetër shqetësim i theksuar është mungesa e bashkëpunimit me Shqipërinë zyrtare, e cila mund të luante rol të rëndësishëm në lobimin ndërkombëtar për njohjen e shtetit të Kosovës.
Dialogu me Serbinë ndodhet në një ngërç të thelluar. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 nuk është zbatuar siç pritej, ndërsa Bashkimi Evropian dhe SHBA po rrisin presionin ndaj të dyja palëve – me theks të veçantë ndaj Qeverisë Kurti – për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kurti vazhdon ta kundërshtojë këtë projekt në formatin aktual, duke e konsideruar rrezik për funksionalitetin e shtetit. Ky qëndrim ka prodhuar tensione serioze me aleatët ndërkombëtarë.
Si rezultat, situata në komunat me shumicë serbe në veri mbetet e brishtë. Bojkoti i zgjedhjeve nga serbët ka çuar në institucione jofunksionale dhe përfaqësim të dobët. Prania e grupeve kriminale dhe incidentet sporadike të dhunës rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin në këtë zonë.
Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, është e dukshme një ftohje në raportet e Kosovës me SHBA dhe BE. Kjo reflektohet në deklaratat kritike të diplomatëve perëndimorë, në mungesën e njohjeve të reja të shtetësisë së Kosovës dhe në dështimin për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës – dështim që i atribuohet kryesisht mungesës së progresit në çështjen e Asociacionit.
Brenda vendit, sfidat politike shoqërohen me probleme ekonomike dhe sociale. Papunësia e të rinjve mbetet e lartë, investimet e huaja janë të pakta, dhe ekonomia mbështetet fort në remitancat nga diaspora. Mungesa e dialogut të sinqertë midis pushtetit dhe opozitës e rëndon edhe më shumë klimën e brendshme politike.
Në analizën time profesionale, rezulton se Kosova ndodhet në një moment kritik. Nëse Qeveria Kurti – për aq kohë sa është ende në detyrë – nuk arrin të balancojë qëndrimet e brendshme me kërkesat ndërkombëtare, ekziston rreziku real i izolimit diplomatik dhe i përshkallëzimit të polarizimit politik.