
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u tërhoq të dielën nga deklarata për vendosjen e një takse ndaj beqarëve, duke thënë se është “keqkuptuar” dhe kërkoi ndjesë për çdo shqetësim të shkaktuar.
Reagimi vjen pas debatit publik të nxitur nga komenti i tij i së premtes, gjatë një forumi mbi sfidat demografike, ku ai tha se po shqyrtohej futja e një takse shtesë për të pamartuarit. “Nuk do të ketë kurrfarë taksash,” tha Mickoski, duke shtuar se qëllimi i tij ishte të tërhiqte vëmendjen te rënia e lindshmërisë dhe numrit të martesave në vend.
Sipas tij, në vitin 2016 u regjistruan 23 mijë lindje, ndërsa në vitin 2024 vetëm 16 mijë – një rënie prej 30 për qind. Po ashtu, numri i martesave ka rënë me 17 për qind gjatë tri viteve të fundit.
Deklarata fillestare u kritikua ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe opozita, që kërkuan politika mbështetëse për të rinjtë dhe emigrantët, jo penalizuese. Mickoski theksoi se qeveria synon politika që nxisin lindshmërinë dhe rikthejnë besimin në të ardhmen.