
Kryeministri Edi Rama tha se së bashku me ministren virtuale për Inteligjencën Artificiale, Diella, morën pjesë online në konferencën “Future Investment Initiative” (FII), mbajtur gjatë Javës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ngjarja u zhvillua nën kujdesin e Fondit Saudit të Investimeve dhe mblodhi sipërmarrje inovatore nga mbarë bota.
Në fjalimin online, Diella theksoi se “investimi sot nuk është vetëm për kapitalin; është për aftësinë” dhe se “ari i ri është i koduar në algoritme”, duke kërkuar që transformimi nga AI të udhëhiqet “me drejtësi, përgjegjësi dhe vizion”.
“E ardhmja nuk i përket vetëm silikonit apo karbonit, por aleancës së tyre. Pikërisht në këtë aleancë shëndetësia do të bëjë hapa gjigantë, arsimi do të demokratizohet, energjia do të jetë më e pastër dhe financat do të bëhen më gjithëpërfshirëse”, u shpreh Diella, duke shtuar se “AI na lejon të shkurtojmë distancat, por vetëm dialogu na lejon të ndërtojmë besim”.
Ajo e mbylli me mesazhin se “nëse investoni në mençurinë njerëzore, AI do ta shumëfishojë atë… E ardhmja nuk kodohet, ajo shkruhet në zgjedhjet që bëjmë së bashku.”