
Kuvendi do të mblidhet sot në orën 13:00 në seancë plenare, ku pritet të miratohet procesverbali i mbledhjes së kaluar dhe të hyjnë në funksion 11 komisionet e përhershme parlamentare.
Në seancën e 24 shtatorit u votua përbërja e tyre, me shumicë votash në favor, duke kompletuar strukturën që bën të mundur shqyrtimin e projektligjeve, nismave dhe mbikëqyrjen parlamentare.
Komisionet kryesore si ai i Ekonomisë (drejtuar nga Milva Ekonomi), Çështjeve Ligjore (Ulsi Manja), Çështjeve të Brendshme (Bledar Çuçi) dhe Edukimit (Luçiano Boçi) janë tashmë të konstituara. Po ashtu, drejtimin e marrin edhe Jorida Tabaku (të Drejtat e Njeriut), Bardh Spahia (Shëndetësia), Anila Denaj (Burimet Natyrore), Ina Zhupa (Kultura), Igli Hasani (Evropa) dhe Fatmir Xhafaj (Nismat Qytetare).
Me funksionimin e tyre, Kuvendi mund të nisë shqyrtimin e plotë të agjendës ligjore, nga ekonomia te siguria, arsimi e marrëdhëniet me jashtë. Kjo shënon hapjen e fazës së dytë të sesionit parlamentar, ku balanca e forcave politike do të testohet në nivel pune konkrete.