
Qeveria i ka dërguar Presidencës njoftimin për vakancën në Bashkinë e Tiranës pas shkarkimit të Erion Veliajt, edhe pse ai e ka ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Në shkresën e 30 shtatorit, Presidenti Bajram Begaj informohet gjithashtu për vakancat në Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.
Kushtetuta i jep kreut të shtetit 48 orë afat për të nxjerrë dekretin për zgjedhje. Vëmendja është te vendimi i tij nëse do të shpallë zgjedhje në gjashtë bashkitë apo vetëm në pesë, përjashtuar Tiranën.
Sipas nenit 115 të Kushtetutës, ankimi i Veliajt pezullon vendimin e Këshillit të Ministrave dhe bllokon zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Tre bashki – Mati, Tepelena dhe Berati – mbetën pa kryetar pas zgjedhjes së kryetarëve të tyre si deputetë të PS më 11 maj. Kryebashkiaku i Cërrikut u emërua në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa ai i Vlorës dha dorëheqjen.