
Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe OSBE-ja dënuan ashpër vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, ngjarje që ndodhi dje rreth orës 15:00.
Delegacioni i BE-së u shpreh i tronditur dhe e quajti aktin “kriminal”. BE përcolli ngushëllime familjes së gjyqtarit dhe theksoi nevojën e menjëhershme për rritjen e sigurisë së gjyqtarëve e prokurorëve dhe masave në sallat e gjyqit. Po ashtu, ritheksoi angazhimin për mbështetjen e reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Edhe Prezenca e OSBE-së dënoi me forcë të shtënat, duke i cilësuar sulm ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. OSBE i shprehu ngushëllime familjes dhe kolegëve, uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, mirëpriti arrestimin e autorit dhe nënvizoi rëndësinë e një procesi të plotë dhe të shpejtë për vendosjen e drejtësisë.