
Kryeministri Edi Rama pret sot në Tiranë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Vizita nis në Presidencë, ku Von der Leyen do të pritet nga presidenti Bajram Begaj. Më pas ajo do të zhvillojë takim kokë më kokë me Ramën dhe një takim dypalësh mes delegacioneve në Kryeministri, i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.
Pas takimeve zyrtare, Rama dhe Von der Leyen do të marrin pjesë në Forumin e parë të Investimeve “Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor”, që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.
Forumi, i mbështetur nga Komisioni Europian, synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit dhe BE-së, si dhe nxitjen e investimeve në fusha si infrastruktura, energjia, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, si edhe integrimi ekonomik rajonal.