
Partia Demokratike ka depozituar dje në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Në një reagim zyrtar, Presidenca thekson se Kreu i Shtetit nuk komenton nisma politike të asnjërës palë, duke theksuar se neutraliteti është pjesë e detyrimit kushtetues të institucionit që ai përfaqëson.
“Presidenti ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial i pa ndikuar nga sulmet politike apo fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik,” thuhet në deklaratë.
Sipas njoftimit, procedura për shkarkimin e Presidentit është një instrument kushtetues që i takon vetëm Parlamentit, i cili është “i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur”.
Begaj shton se do t’i përgjigjet Kuvendit “me seriozitet dhe ndershmëri”, ndërsa i bën thirrje deputetëve të hetojnë pretendimet e ngritura nga grupi parlamentar i PD-së me “profesionalizëm dhe transparencë të plotë”.
Kjo është hera e parë që ndaj Presidentit Begaj ngrihet një kërkesë për shkarkim nga opozita, e cila e akuzon atë për shkelje të kompetencave gjatë dekretimit të datës së zgjedhjeve lokale në Tiranë.