
Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi dje një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ku të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë dypalësh dhe u shprehën për forcimin e mëtejshëm të tij.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme në Shkup, Mucunski ftoi homologen shqiptare për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me synimin për të avancuar iniciativa konkrete në fusha me interes të përbashkët.
Në qendër të bisedës ishin integrimi evropian, lidhjet infrastrukturore dhe rëndësia strategjike e Korridorit 8 si projekt rajonal.
Të dy ministrat theksuan nevojën për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe kontributin e përbashkët të dy vendeve për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.