
Kuvendi zhvilloi një seancë maratonë që zgjati deri pas mesnate, me raportimet vjetore të pesë institucioneve kryesore të drejtësisë: Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme (SPAK), Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).
Debatet nisën që prej orës 10:00 të mëngjesit dhe zgjatën për orë të tëra. Opozita kërkoi shtyrjen e seancës, me argumentin se orët e vona nuk mundësonin ndjekjen e raportimeve nga publiku, por palët ranë dakord që raportimi i kreut të KLGJ, Ilir Rusi, të zhvillohej, ndërsa ai i KLP-së të shtyhej për të enjten.
Në fillim të seancës, deputetët miratuan ngritjen e dy komisioneve të posaçme: për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Administrativo-Territoriale, pas dakordësimit mes mazhorancës dhe opozitës për përbërje të barabartë dhe bashkëdrejtim.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi “Raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024”, duke theksuar se mungesa e prokurorëve pas procesit të rivlerësimit mbetet një sfidë për sistemin. Sipas tij, janë trajtuar mbi 61 mijë materiale hetimore, një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa janë ndjekur mbi 47 mijë procedime penale.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi hetimin e 33 ish-zyrtarëve të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar për gjykim, si dhe sekuestrimin e aseteve me vlerë 65,5 milionë euro — një rritje me 60% krahasuar me vitin 2023. Ai e cilësoi këtë si “shenjë të forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe pasurive të paligjshme”.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, theksoi rëndësinë e pavarësisë së magjistratëve dhe profesionalizmit në përballje me çdo ndikim të jashtëm. Sipas tij, gjatë vitit 2024 janë depozituar 1.491 ankesa të reja ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor.
Raportimet e KLGJ-së dhe KLP-së do të vijojnë në seancën e së enjtes, ku pritet debat mbi eficiencën e sistemit gjyqësor dhe zbatimin e reformës në drejtësi.