
Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel për Samitin e Zgjerimit të BE-së, një forum i ri dialogu për të ardhmen e integrimit europian.
Punimet nisin në orën 14:00 dhe do të zgjasin deri në 17:00. Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në panelin kryesor së bashku me homologët e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq, dhe Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski.
Në samit marrin pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Moldavisë Maia Sandu dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ngjarja, e organizuar nga Euronews, përkon me publikimin e raportit të Komisionit Europian mbi progresin e vendeve kandidate dhe me miratimin e këstit të pestë të ndihmës për Ukrainën.
Diskutimet do të fokusohen në zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit dhe Evropës Lindore, fuqizimin e demokracisë dhe aksesin në tregje të reja.