
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, tha se raporti i progresit i Komisionit Evropian për Shqipërinë është “realist dhe i balancuar”, duke vlerësuar ritmin e reformave dhe angazhimin politik të vendit.
Deklarata u bë pas një takimi online me komisaren për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos, ku u diskutua mbi paketën e zgjerimit të publikuar një ditë më parë.
Në një postim në rrjetin X, Spiropali falënderoi komisioneren për “bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian” dhe tha se vendosmëria e Shqipërisë për anëtarësim në BE “vetëm forcohet nga vlerësimet e raportit”.
Raporti i Komisionit Evropian vlerëson përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe përafrimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së, duke theksuar se Tirana është “në rrugën e duhur” për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.