
Në Bruksel, këtë të hënë, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë Konferencën e 7-të Ndërqeveritare — takimin që shënon hapjen e grup-kapitullit të fundit të negociatave për anëtarësim.
Kjo fazë përfshin bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, kohezionin dhe financat — pesë kapitujt e fundit që vendi ynë ende nuk i kishte hapur.
Me këtë hap, Shqipëria i ka hequr të gjitha “pikat e kuqe” nga i ashtuquajturi “Muri i Zgjerimit” në Komisionin Evropian. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, kujtoi së fundi se vetëm një vit më parë shumica e fushave ishin ende të paprekura. “Progres i paprecedentë,” tha ajo, duke vlerësuar ritmin më të shpejtë të negociatave në historinë e zgjerimit.
Kryeministri Edi Rama e quajti këtë moment “të pamendueshëm”, pasi të gjithë kapitujt janë hapur brenda dymbëdhjetë muajsh.
Konferenca e 7-të vjen pas një rruge të ndërtuar hap pas hapi që prej korrikut 2022, me gjashtë konferenca të njëpasnjëshme që kanë hapur të gjithë grup-kapitujt tematikë — nga themeloret e deri te agjenda e gjelbër.
Takimi i 17 nëntorit pritet të shënojë hyrjen në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.