
Në Romë, Shqipëria dhe Italia kanë forcuar sot partneritetin e tyre strategjik, duke shkëmbyer një paketë të gjerë marrëveshjesh dhe memorandumesh, në mbledhjen e parë ndërqeveritare mes dy vendeve.
Ministrat e të dy qeverive nënshkruan dokumente që prekin disa prej fushave më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të bashkëpunimit. Mes tyre, një memorandum për sigurinë kibernetike dhe disa marrëveshje për ndërtimin e një sistemi modern të mbrojtjes civile në Shqipëri, përfshirë trajnime dhe mbështetje teknike.
U firmosën gjithashtu marrëveshje në sektorin e mbrojtjes, midis ushtrive të dy vendeve, si dhe një protokoll për dorëzimin e dy motovedetave të reja të Guardia Costiera për forcat detare shqiptare.
Në fushën e shëndetësisë, palët ranë dakord për një projekt për neonatologjinë, në mbështetje të fëmijëve dhe nënave.
Pjesë e paketës ishin edhe bashkëpunime kulturore me muzeun italian MAXXI dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, si dhe një sërë marrëveshjesh ekonomike e financiare me Cassa Depositi e Prestiti, Simest dhe kompani strategjike si Fincantieri dhe Leonardo.
Kjo paketë e parë marrëveshjesh konsiderohet një hap i madh në konsolidimin e partneritetit Shqipëri–Itali.