
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nisi punimet sot në orën 12:00, në një mbledhje që është pritur me interes të lartë politik. Në rend dite ishte përcaktimi i numrit të ekspertëve që do të asistojnë komisionin, si dhe kërkesat për mbështetje teknike nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.
Komisioni u ngrit me votat e përbashkëta të PS dhe PD dhe përfshin të gjitha partitë parlamentare: 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, ndërsa me nga një përfaqësues marrin pjesë PSD, Partia Republikane, Partia e Lirisë dhe Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të marrin pjesë në diskutime, por pa të drejtë vote.
Komisioni bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri (PS) dhe Oerd Bylykbashi (PD).
Reforma zgjedhore është kërkesë e përsëritur e partnerëve ndërkombëtarë. Ajo u nënvizua si prioritet në raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, si dhe në progres-raportin e BE-së për Shqipërinë. Edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, e ka cilësuar reformën si hap kyç në procesin e integrimit evropian.