
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, konfirmoi sot se do të paraqitet nesër në Prokurorinë e Posaçme, pas thirrjes për hetimet mbi protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë katër qytetarë para Kryeministrisë. Ai e cilësoi procedimin si të motivuar politikisht.
“Unë kam shkuar dhe do të shkoj në çdo thirrje të gjykatës dhe prokurorisë. Nesër do jem aty. Por deklaroj që ky është një hetim politik, sepse ajo çështje është hetuar plotësisht me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë”, tha Berisha.
Ai sulmoi SPAK-un si “vegël të qeverisë”, duke akuzuar institucionin për keqinformim dhe manipulim dokumentesh në shërbim të pushtetit. Sipas tij, SPAK “përdori një akt ligjor për dy javë propagandë pro qeverisë”.
Berisha e quajti 21 janarin “protestën më të dhunshme në historinë e vendit”, me një skenar dhune “të paralajmëruar”, ndërsa theksoi se në zgjidhjen e situatës pati “angazhim serioz të qeverisë së SHBA”.
Në protestën e 21 janarit 2011 u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj. Hetimi i ri për ngjarjen u hap nga SPAK në korrik 2024.