
Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë vendimin e GJKKO-së që largoi nga detyra Belinda Ballukun si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, duke argumentuar se masa krijon “pasoja të pariparueshme” për funksionimin e qeverisë.
Në shkresën drejtuar Kushtetueses, Rama thotë se pezullimi shkakton mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pengon ushtrimin e kompetencave të ekzekutivit, përfshirë procesin e integrimit europian që kërkon miratimin e rreth 800 projektakteve deri në vitin 2027.
Ai e cilëson masën si antikushtetuese, pasi “cenon imunitetin e ministrit, parimin e ndarjes së pushteteve dhe ndërhyn në kompetencat e organeve që emërojnë dhe miratojnë ministrat”. Rama kërkon shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes GJKKO-së dhe ekzekutivit.
Balluku u pezullua nga GJKKO për hetimin e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe. Në arrest shtëpie ndodhen edhe kreu i ARSH-së, Gentian Gjyli, dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi.